Një burim i lartë diplomatik i BE-së konfirmoi se nxitja e re në marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pas vizitës së kryeministrit bullgar është shenjë e mirë për fillimin e negociatave me BE-në, njofton AIM.
Burim diplomatik nga presidenca franceze konfirmoi sot për AIM, se vizita e kryeministrit të Bullgarisë Kirill Petkov në Shkup këtë javë është hapje mes dy palëve.
“Nuk dua të flas në emër të liderëve, por ne shohim hapje, ne si presidencë me BE-në po kërkojmë konkretizim që të mund të hapim negociatat për anëtarësim, jo vetëm me Maqedoninë e Veriut por edhe me Shqipërinë sapo të plotësohen kushtet”, sqaroi diplomati i lartë në Bruksel.
Këshilli i rregullt i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së do të mbahet të martën në Bruksel, ku do të takohen ministrat e BE-së për çështjet evropiane. Zgjerimi nuk do të jetë në rendin e ditës, konfirmoi presidenca franceze, e cila kryeson mbledhjen. Por ministrat janë të lirë të ngrenë çështjen e zgjerimit apo Maqedonisë së Veriut nëse e gjykojnë të nevojshme.
Franca gjithashtu thekson se mbetet në dispozicion të të dyja palëve për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe gjetjen e një zgjidhjeje.
“Ne kemi thënë që në fillim se do të inkurajojmë gjetjen e zgjidhjes ndërmjet Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë Veriore”, tha për AIM një diplomat francez.