-ads3-

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është shprehur optimiste lidhur me situatën e koronavirusit vitin e ardhshëm.

Ndër të tjera, është e rëndësishme që të paktën 70 për qind e popullsisë në çdo vend të vaksinohet deri në mes të vitit, deklaroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë.

“Atëherë do të ishte e mundur që virusi të dobësohej, të paktën duke shmangur simptomat më të rënda”, tha ai.

“Ne mund t’i japim fund fazës së shtrimeve në spitale dhe vdekjeve”, tha eksperti i OBSH-së, Mike Ryan. OBSH ka shprehur gjithashtu besimin në progresin e mëtejshëm të përdorimit të barnave kundër Covid-19 vitin e ardhshëm.

Tedros u bëri thirrje shteteve të mos jenë kokëfortë, por të ndihmojnë në shpërndarjen e vaksinave në mënyrë të barabartë.

“Ka ardhur koha për të mbrojtur popullsinë dhe ekonomitë kundër varianteve të ardhshme duke i dhënë fund pabarazisë globale të vaksinave”, shtoi ai.

“Rritja aktuale e numrit të rasteve me koronavirus e udhëhequr nga varianti Omicron është shqetësuese. Së bashku me variantin Delta, mund të ketë një “cunami rastesh”, tha Tedros.