Numri në rritje i të infektuarve me koronavirus në botë la nën hije festën e Krishtlindjeve, në vitin e dytë më radhë. Shumë kisha u desh të anulonin shërbimet e parapara për festë dhe mijëra plane udhëtimesh po ashtu u anuluan derisa njerëzve u është kërkuar edhe njëherë të respektojnë rregullat për distancë dhe bartje të maskës. Në Betlehem- qytetin palestinez në Bregun Perëndimor – për të cilin të krishterët besojnë se është vendlindja e Jezusit, megjithatë pati disa ceremoni. Para pandemisë në Betlehem mblidheshin mijëra njerëz e pelegrinë të krishterë nga e gjithë bota. Ndërkaq në Vatikan, Para Françesku kremtoi Natën e Krishtlindjeve përpara një turme të limituar me rreth 2 mijë njerëz, tek Bazilika e Shën Pjetrit.

Të gjithë përpos Papës kishin maska në fytyrë. Papa, parakaloi deri tek altari kryesor i Kishës Sistine derisa kori i kishës këndonte duke shënuar kështu festën modeste në Vatikan. Papa Françesku tha se njerëzit që janë indiferentë ndaj të varfërve fyejnë Zotin, duke u bërë thirrje të gjithëve që “të shikojnë përtej gjithë dritave dhe dekorimeve” dhe të kujtojnë më nevojtarët.

“Le të kemi vetëm një frikë: se mund të ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfrit me indiferencën tonë. Jezusi i do ata shumë dhe një ditë ata do të na mirëpresin në parajsë”.

Në Evropë disa shtete imponuan masat e rrepta të cilat pengojnë gëzimin e festës. Holanda është kthyer në izolim, derisa Spanja e Italia detyruan bartjen e maskës edhe në ambiente të hapura.