Ministri bavarez i Shëndetësisë, Klaus Holetschek, i ka bërë thirrje të gjitha partive politike, që në janar në Bundestag të miratojnë ligjin për vaksinim të obligueshëm të gjithë qytetarëve në luftën kundër coronavirusit.

Holetschek, që aktualisht udhëheq konferencën për shëndetësi në të gjitha komunat e Gjermanisë, ka bërë të ditur se kjo është mënyra që të luftohet largimi masiv i punonjësve shëndetësorë, transmeton Telegrafi.

Ky ligj tashmë vlen për personelin mjekësor, ku është bërë i obligueshëm vaksinimi por që pritet të hyjë në fuqi në mars të vitit të ardhshëm.

E ata që punojnë nëpër shtëpi të pleqve “kanë një lloj ndjenje se ata po konsiderohen si përgjegjës për mungesë të vaksinuarve, e nëse do të bëhej i obligueshëm vaksinimi situata do të ishte paksa më ndryshe”, bëri të ditur ministri gjerman.

Ministri Holetschek ka folur edhe për sanksionet për ata që nuk do të vaksinoheshin, pavarësisht se një gjë e tillë do të bëhej e obligueshme.

Në njërën anë po mendohet aplikimi i ndëshkimit financiar, pra gjoba. Në anën tjetër fjala është për mundësinë që të pavaksinuarit të paguajnë më shumë sigurim shëndetësor, për dallim nga ata që janë vaksinuar – ku do të detyrohen të mbulojnë vet shpenzimit e shërimit nga coronavirusi apo të mos marrin para kur janë në pushim mjekësor.

Në fillim të këtij muaji edhe Shoqata e Mjekëve të Përgjithshëm të Berlinit, njoftoi se të pavaksinuarit duhet të mbulojnë një pjesë të shpenzimeve nëse sëmuren nga coronavirusi.

E një gjë e tillë do të kishte bukur kosto të lartë. Siç i ka bërë disa përllogaritje zyra e sigurimit shëndetësorë AOK, shërimi i të sëmurëve nga COVID-19 që përfundon në respirator kushton mesatarisht 34.200 euro, e nëse përdoret ECMO, atëherë kostoja shkon deri në 92 mijë euro. Mesatarja e shërimit të një pacienti të sëmurë nga COVID-19 kushton 5.800 euro.