-ads3-

Janë skena si nga filmat e Hollywoodit, mirëpo kërcënimi i Tokës nga asteroidet është fakt dhe jo trillim i filmave.

Nëse gjithçka shkon mirë, sateliti me peshë 540 kilogramë do të përplaset me asteroidin Dimorfi me diametër 160 metra. Përplasja pritet të bëhet me shpejtësi prej 24 mijë kilometra në orë.

Shkencëtarët e NASA-s thonë se shenjat në hënë e bëjnë të pashmangshëm faktin se edhe toka rrezikohet nga asteroidet.

“Kur shikojmë hënën dhe tokën, shohim plot kratere. Më shumë ka në hënë sesa në tokë, mirëpo kjo na tregon se goditjet nga trupat e vegjël në Tokë deri më tani kanë qenë normale”.

Thomas Zubuchen nga NASA tregon planin e përplasjes së satelitit.

“Raketa Dart duhet të godasë asteroidin, pastaj do të masë nivelin e devijimit. Kështu do ta kuptojmë se si funksion ky devijim. Nëse një ditë, një asteroid zbulohet se po vjen në drejtim të Tokës, ne do të kemi një ide se sa i madh është ky asteroid, çfarë shpejtësie ka dhe kur do të godasë. Pastaj do ta kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë që asteroidi të shmangë tokën”, ka thënë ai.

Orbita e Dimorfit është më e madhe sesa asteroidi i quajtur Didymos. Këta gurë nuk paraqesin rrezik për Tokën, por u jep mundësi shkencëtarëve që të shohin efektin e përplasjes mes dy gurëve, pasi Dimorfi rrotullohet rreth tjetrit.

Teknika Dart mund të përdoret për t’ia ndërruar kahen asteroidit me vite ose dekada më herët para se ai t’i afrohet Tokës.

Shkencëtarët vazhdimisht janë në kërkim të asteroideve dhe matin drejtimin e tyre për të parë nëse mund të godasin planetin.

Raketës Dart do t’i duhen dhjetë muaj për t’u afruar tek asteroidet. Përplasja do të ndodhë 11 milionë kilometra larg Tokës.