Me aksionet e dhurimit të gjakut në katër kampuset universitare në vend, Instituti i Mjekësisë Transfuzive përmbush misionin e të rinjve në universitete për t’u bërë dhurues të gjakut që edhe në të ardhmen të përdoret si traditë.
Instituti i Mjekësisë Transfuzive, pas përfundimit të aksioneve të dhurimit të gjakut në shkollat e mesme në të gjithë vendin, vijon punën me fakultetet ku javën e kaluar nisën aksionet e dhurimit të gjakut me moton “Humaniteti në testim”. Aksionet janë të ndara në katër kampuse universitare, duke përfshirë ato të Qendrës Klinike, kampusin e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës dhe kampusin e UKIM.
Mjeku Goran Andonov, njëherit edhe udhëheqës i departamentit për planifikim, organizim dhe realizim të dhurimit të gjakut ka deklaruar se studentët sfidohen vazhdimisht për të dhënë provime, por tani provimi më i madh është provimi i humanizmit apo “humaniteti në testim”. “Dëshirojmë të falënderojmë të gjitha asambletë studentore që luajtën një rol pozitiv në fushatë, me energjinë e tyre pozitive dhe koordinimin e përbashkët. Pasi filluan orët e prezencës fizike, ne bëmë fushatë në shkollat e mesme. Një nga qëllimet kryesore për ne është zhvillimi i dhurimit të gjakut tek të rinjtë dhe rekrutimi i tyre”, thotë Andonov.
Ai ka shtuar se ideja është që gjeneratat e reja të motivohen për vepra humane e sidomos në dhurimin e gjakut. Sipas tij, qëllimi i këtij aksioni është të instalojnë bashkëpunim me studentët edhe në të ardhmen. “Në kuadër të fushatës “Humaniteti në testim”, tashmë është duke u zhvilluar një konkurs mes fakulteteve dhe tre fakultetet e para do të marrin një trofe ari, argjendi dhe bronzi të humanizmit, ku do të shpërblehen dekanët dhe përfaqësuesit e studentëve. Fushata pritet të përfundojë në fillim të shkurtit, pas së cilës do të vazhdojmë me një të re”, nënvizoi mjeku Andonov.
Në aksionet e dhurimit të gjakut, të cilat filluan javën e kaluar dhe vazhdojnë ende, kanë marrë pjesë edhe udhëheqësit edhe profesorët dhe dekanët.
“Studentët bënë anketa dhe analiza të mrekullueshme dhe na ndihmuan me një plan të saktë, kështu që ne e dinim se sa prej tyre do të dhuronin gjak çdo ditë, në mënyrë që të organizoheshim më lehtë”, thotë drejtori i nga Institutit të Mjekësisë Transfuzive Sadulla Useini.
Ndryshe, pas realizimit të këtyre aktiviteteve, nga Instituti i Mjekësisë Transfuzive do të organizohet një debat mes studentëve dhe përfaqësuesve të tyre për të marrë iniciativa, propozime dhe ide se si të vazhdojë dhurimi i gjakut në vend në të ardhmen.