Lojtari më me shumë trofe në historinë e futbollit, Dani Alves, pas pesë vitesh është rikthyer në Barcelonë, që është shoqëruar mbrëmë me një postim euforik në rrjetet sociale.
Alves postoi një foto në faqen e tij zyrtare duke puthur stemën në fushën e stadiumit Camp Nou dhe në përshkrim shkruante se po kthehej në shtëpinë nga e cila nuk u largua kurrë.
“Kam luftuar si i çmendur për këtë moment për pesë vjet. Nuk e prisja se do të më merrte kaq shumë kohë dhe nuk e dija se do të ishte kaq e vështirë, por në zemër dhe shpirt e dija se kjo ditë do të vinte. Unë po kthehem në shtëpi nga e cila nuk u largova kurrë dhe siç thashë kur u largova para 5 vitesh: Unë jam njëri prej jush”, shkroi Alves dhe vazhdoi:
“Nuk e di sa do të zgjasë kjo ëndërr, por le të jetë e përjetshme sa të zgjasë. Shihemi së shpejti në vendin që më magjeps më shumë dhe jam këtu me të njëjtin entuziazëm si herën e parë dhe me të njëjtën dëshirë për të ndihmuar në rindërtimin e klubit më të mirë në botë.”