Me rastin e Ditës Botërore të Kafshëve, dje, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, vizitoi parkun për kafshët shtëpiake përballë “Nova Makedonija”, ku bisedoi për pronësinë e përgjegjshme, çipimin dhe sterilizimin e kafshëve shtëpiake me pronarët e qenve të cilët ishin në park.
„Qyteti i Shkupit është qyteti i vetëm me ndërmarrje publike për kafshët endacake, “Lajka”. Nëpërmjet “Lajka” kujdesemi për kafshët endacake në mënyrë dinjitoze dhe humane. Qytetarët mbajnë mend stacionarin “Vardarishte” dhe skenat e frikshme të cilat tashmë i përkasin së kaluarës“, deklaroi Shilegov gjatë vizitës.
Shilegov me të pranishmit bisedoi për propozimet dhe idetë e tyre në lidhje me gjendjen e kafshëve në qytet, por edhe për përgjegjësin që ka Shkupi ndaj tyre dhe trajtimin human. NP „Lajka“ është edhe një histori tjetër e bukur në radhën e atyre me të cilat Shkupi hap pas hapi ngjason me një metropol të vërtetë.
NP „Lajka“ është shumë më tepër sesa një stacionar për qentë. “Lajka” është vendi ku kafshët endacake mjekohen, trajtohen, strehohen dhe risocializohen. Në “Lajka”, kafshët kanë trajtim të plotë human dhe veterinar, analiza gjaku, test 4D, test për leishmaniozë dhe u nënshtrohen kontrolleve rigoroze, para strehimit. Për ndryshim nga e kaluara dhe “Vardarishte”, “Lajka” është vendi i gëzimit dhe lumturisë, shtoi Shilegov.
Me mbështetjen e Qytetit të Shkupit, koncepti i ri i objektit të strehimores së NP „Lajka“,do t’u vërë në dispozicion qytetarëve shërbim për kafshët endacake, të cilin nuk e kemi pasur asnjëherë deri më tani.
Dita Botërore e Kafshëve, e shpallur në vitin 1925, shënohet çdo 4 tetor, si dita e ngritjes së ndërgjegjësimit për të drejtat dhe mirëqenien kafshëve.