NATO konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se madhësia e misionit të Rusisë në aleancë është përgjysmuar, pas zbulimit se tetë anëtarë të ekipit diplomatik rus u përkisnin shërbimeve të inteligjencës në Moskë.
Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se aleanca “ka forcuar mbrojtjen, në përgjigje të veprimeve agresive të Rusisë”, por shtoi se është ende e gatshme të përfshihet në dialog.
“Mund të konfirmojmë se kemi tërhequr akreditimin e tetë anëtarëve të misionit rus në NATO, të cilët ishin oficerë të padeklaruar të inteligjencës ruse”, i tha Radios Evropa e Lirë zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
“Ne gjithashtu mund të konfirmojmë se kemi zvogëluar numrin e pozicioneve që Federata Ruse mund t’i akreditojë në NATO [nga 20] në 10”, tha ai.
Sky News raportoi se vendimi u mor pas “dyshimeve për aktiviteteve dashakeqe të Rusisë gjatë viteve të fundit”.
Nga Rusia nuk ka ende reagim zyrtar. Por, agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi një ligjvënës të lartë rus të ketë thënë se Moska do të hakmerret “dhe jo domosdoshmërisht në mënyrë simetrike”.