Të 27 vendet anëtare të BE-së janë të vendosura për një qasje të matur ndaj gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë të bashkohen me bllokun, përpara një samiti që fillon nesër, që nuk ka gjasa që ta lehtësojë zhgënjimin në rajon.
Pas negociatave të gjata të brendshme, Bashkimi Evropian do të riafirmojë me shkrim për herë të parë angazhimin e tij ndaj procesit të zvarritur të zgjerimit, mësoi DPA nga burime diplomatike.
Sidoqoftë, nuk parashikohet një datë specifike dhe durimi në rajon po pakësohet.
Në të njëjtën kohë, deklarata e përbashkët – që do të nënshkruhet të mërkurën në një takim të udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni – thekson nevojën që vendet kandidate të zbatojnë reformat.
”Klauzola e dytë hap derën mbi të gjitha për Francën, e cila ka dyshime për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut, për të vazhduar bllokimin e proceseve të pranimit”, thanë burimet diplomatike për DPA.
Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi anëtarësimi do t’u jepte akses në tregun e vetëm dhe lirinë e lëvizjes, por asnjë prej tyre nuk ka një afat kohor të qartë se kur mund të ndodhë kjo.
Shtetet si Gjermania dhe Austria kanë frikë se dështimi për të përmbushur angazhimet e BE -së për të vazhduar me pranimin mund t’i shtyjë ato drejt aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Rusia dhe Kina, ndër të tjera, po investojnë shumë në rajon.