Një grup i madh ish–lojtarësh të NBA janë akuzuar në Gjykatën Federale në Nju Jork për një skemë të dyshuar të mashtrimi me sigurimet shëndetësore, duke i shkaktuar një dëm pothuajse 4 milionë dollarë Planit të Përfitimit të Ligës.
Janë 19 ish-lojtarë për të cilët është ngritur aktakuzë, përfshirë Terrence Williams, i zgjedhur i 11-ti në draftin e 2009-ës e që konsiderohet truri i kësaj skeme mashtrimi.
I përfshirë gjithashtu Tony Allen, i përzgjedhur gjashtë herë pjesë e ekipit më të mirë mbrojtës në NBA. Në telashe gjithashtu Shannon Brown, Glen Davis, Sebastian Telfair apo Darius Miles, zgjedhja e tretë në draftin e vitit 2000.
Në grupin e të arrestuarve për këtë mashtrim mësohet se është edhe Alan Anderson, i cili ka qenë pjesë e disa ekipe të NBA si Nets, Raptors dhe Clippers. Ai ka luajtur edhe në Europë për Maccabin dhe Barcelonën; Antoine Wright, i cili pas përvojës në NBA kaloi një vit tek Estudiantes; William Bynum, Melvin Ely, Christopher Douglas-Roberts, Tony Ëroten, Milt Palacio, Ruben Patterson, Eddie Robinson, Gregory Smith dhe Jamario Moon.
Të pandehurit po përballen me akuzën e mashtrimit. Sipas aktakuzës, ata dyshohet se morën pjesë në një skemë të cilën e drejtuan nga viti 2017 deri në vitin 2020 për të mashtruar Planin e Përfitimit të Shëndetit dhe Mirëqenies së Lojtarëve të NBA, duke paraqitur kërkesa të rimbursimit për shërbimet mjekësore dhe dentare të cilat nuk i kanë marrë kurrë.