Xherdan Shaqiri ka shprehur lumturinë që stërvit dhe luan nën urdhrat e Jurgen Kloppit në Liverpool, si dhe e ka pranuar se roli i tij i preferuar do të ishte numri 10 në “Anfield”.

Kosovari i Zvicrës foli në një intervistë për Blick në ditëlindjen e tij të 27-të të mërkurën, ku iu përgjigj një mori pyetjesh rreth jetës me të kuqtë, transmeton Gazeta Express.

Shaqiri, i cili do ta bëjë paraqitjen e 76-të për Zvicrën në ndeshje ndaj Belgjikës të premten, tha se i pëlqen të punojë me Kloppin dhe beson se është afër ta fitojë vendin e titullarit në Liverpool.

Ai i ka nisur vetëm dy ndeshje si titullar deri tani këtë sezon dhe u zëvendësua pas pushimit mes pjesëve në fitoren 3-0 ndaj Southamptonit muajin e kaluar për arsyeje taktike, pasi Klopp kërkonte më shumë kontroll në mesfushë.

“Kam marrëdhënie shumë të mira më Kloppin. Është argëtim të punosh më të. Mendoj se jam relativisht afër të futem në formacionin e parë. Shumë afër”, tha Shaqiri.

Ish-ylli i Bayern Munich, Inter dhe Stoke City zbuloi se pozita qendrore, pra 10-shi, është roli i tij i preferuar.

“Natyrisht se është ndryshe që si lojtar të kesh liri të tillë [si numër 10sh]. Trajneri më jep liri dhe unë përpiqem ta shfrytëzoj atë sa të mundem në mënyrë që ta ndihmoj skuadrën, me pasime vendimtare apo goditje”, tregoi ai.

Shaqiri po ashtu zbuloi se ende nuk është zhvendosur në Merseyside që prej se iu bashkua Liverpoolit duke lidhur kontratë pesëvjeçare në verë, pasi pëlqen më shumë të jetojë në Mançester, aty ku ka jetuar në tri vitet e fundit sa luante me Stoke.

“Ende jetoj në Mançester në shtëpinë e njëjtë që kam jetuar si lojtar i Stoke”, tha Shaqiri.

“Të jem i sinqertë ende nuk e kam vizituar qytetin e Liverpoolit, përveç në raste kur kemi shkuar në hotelin e ekipit me ekip. Lojtarët më thonë se është e vështirë sepse njerëzit t’u vërsulen sapo të shohin”, shtoi ai.