Pozita e Jose Mourinhos si trajner i Manchester Unitedit është vënë në pikëpyetje gjatë kohës së fundit dhe për këtë arsye portugezi do të takohet me drejtorin ekzekutiv të klubit, Ed Woodward gjatë kësaj jave, raporton The Sun.

Trajneri portugez ka marrë shumë kritika që nga fillimi i këtij sezoni për shkak të rezultateve jo të mira që ka marrë skuadra e tij. “Djajtë e kuq” kanë pësuar disfatë në tri nga gjithsej tetë ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Premierligë, transmeton Gazeta Express.

Të premten ishte raportuar se bordi drejtues i Manchester Unitedit do ta shkarkonte trajnerin të dielën pavarësisht nga rezultati i ndeshjes të së shtunës kundër Newcastle. Ky lajm nuk ishte pritur mirë nga legjenda e klubit, Gary Neville, i cili kishte thënë se klubi nuk duhet ta shkarkojë në këtë mënyrë trajnerin.

Megjithatë, atë ndeshje Manchester Unitedi e fitoi pasi që arriti ta përmbysë rezultatin nga 0-2 në 3-2, përmes golave të shënuar nga Juan Mata, Anthony Martial dhe Alexis Sanchez. Këto tri pikë të fituara megjithatë raportohet se vetëm i kanë maskuar problemet brenda klubit.

Tani, The Sun raporton se Mourinho dhe Woodwardi do të takohen në Londër gjatë kohës sa Unitedi nuk do të jetë i angazhuar për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve për të diskutuar rreth të ardhmes së ish-trajnerit të Real Madridit dhe Interit.

Mourinho dyshon se drejtuesit e klubit janë duke planifikuar fshehurazi për shkarkimin e tij. Megjithatë, nëse ai sigurohet në këtë takim se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, atëherë ai do ta shfrytëzojë këtë rast për të kërkuar lojtarë të rinj gjatë afatit kalimtar të janarit.

Tashmë është bërë e ditur se ai gjatë verës kishte dashur ta transferonte një qendërmbrojtës, por kjo gjë iu pamundësua atij. Mbrojtja edhe ka qenë një ndër problemet më të mëdha të skuadrës së Mourinhos gjatë këtij sezoni. Në Premierligë ata kanë shënuar 13 gola, ndërsa kanë pranuar 14.

Loading...