Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos propozon nënshkrim të marrëveshjeve ndërshtetërore të sigurisë për zgjidhjen e problemeve dhe stabilitetit në rajon.

Pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Xhejms Matis në Uashington, në deklaratën për media, Kamenos tha se SHBA-ja, me besimin e ndërtuar me Armatën greke, Qeverinë greke dhe popullin grek, “Greqisë ia kanë ndarë rolin e boshtit qendror të stabilitetit” drejt Qipros, Izraelit, vendeve të Lindjes së Afërt, por edhe në veri drejt Shqipërisë. Bullgarisë, Serbisë dje Maqedonisë.

“Mendoj se në suaza të kësaj politike, hapi i ardhshëm do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta të mbrojtjes,  në nivel të marrëveshjeve ndërshtetërore, por edhe në esencë në ndërtimin e politikës energjetike në rajonin më të gjerë”, tha Kamenos.

I pyetur konkretisht për Maqedoninë, Kamenos sërish e përmendi nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Pozicionin tim e dini, mendoj se plotësisht është i qartë. Por, duket se ngjarjet çojnë drejt kësaj. Konsideroj se faza e ardhshme do të jetë krijimi i marrëveshjeve ndërshtetërore që do ta zgjidhë problemin me jostabilitetin”, u përgjigj ministri i Mbrojtjes i Greqisë.

Një pjesë e mediave greke këtë deklaratë e interpretojnë si plan B të Kamenosit, gjegjësisht të përmbushen qëllimet gjeopolitike të përfshira në Marrëveshjen e Prespës, pa në këtë rast të preket çështja për emrin, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjeve,  do të ishte midis Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndërsa më vonë do të përfshihej edhe Serbia.

Sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, pikërisht kjo, por edhe Marrëveshja e Prespës kanë qenë temat për të cilat kanë biseduar Kamenos dhe Miçel në takimin e tyre.

Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit për Europë dhe Euroazi, i ka thënë se Greqia ka shprehur vullnet të mirë në Marrëveshjen e Prespës dhe ka shfaqur bindje, siç publikoi agjencia greke e e lajmeve se marrëveshja nuk do të ratifikohet në Maqedoni dhe për këtë e ka propozuar plan alternativ për marrëveshje ndërshtetërore.

Lidhur me këto propozime të Kamenosit, ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Katrugalos, në intervistën për radion “Njuz247” thotë se ata nuk janë dorëzuar deri te Qeveria dhe “në asnjë rast nuk mund të jenë plan alternativ për Marrëveshjen e Prespës”.