Mesfushori spanjoll i Atletico Madridit, Saul Niguez, mendon se bashkëlojtari i tij, Antoine Griezmann, e meriton ta fitojë çmimin “Topi i Artë’, për shkak të arritjeve që ka pasur gjatë sezonit të kaluar me klubin e tij, si dhe Kombëtaren e Francës.

Griezmann është pjesë e listës prej 30 futbollistëve të nominuar për këtë çmim, fituesi i së cilit do të bëhet i ditur më 3 dhjetor. Griezmann arriti të fitojë Evropa Ligës me Atletico Madridin, si dhe i ndihmoi skuadrës së Francës të triumfonte në turneun e Kupës së Botës, përcjell Gazeta Express.

Për shkak të performancave të francezit gjatë sezonit të kaluar, si për klubin ashtu edhe për kombëtaren, Saul Niguez mendon se Griezmanni e meriton ta fitojë “Topin e Artë”, pretendentë kryesor për të cilin është ylli i Kroacisë dhe Real Madridit, Luka Modric.

“Shpresoj se do ta fitojë, ai e meriton këtë. Atletico Madridi është duke u rritur dhe një pjesë e kësaj është për shkak të Griezmannit. Ai nuk ka statistika të njëjta me Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin, por ai na nxit të luajmë më mirë dhe shënon gola edhe për klubin, edhe për kombëtaren”, ka thënë Niguez.

Niguez i ka dalë në mbrojtje edhe trajnerit të Atletico Madridit, Diego Simeone, i cili u fishkëllye nga tifozët në fillim të këtij sezoni. Atletico radhiten në vendin e tretë në tabelën e La Ligës, vetëm një pikë më pak se Barcelona që është ne vend të parë, dhe ka pikë të barabarta me Real Madridin, që radhitet në vendin e dytë.

“Për shkak të çdo gjëje që ai ka bërë dhe çdo gjëje që është ende duke u bërë, dyshimet për të ardhmen e tij janë pakuptueshme”, ka shtuar Niguez.