Jana R. (e vdekur në moshën 22) pranverën e 2016 vendosi t’i jap fund jetës së saj duke u shtrirë në magjistralen A6 pranë Kappelen BE (Zvicër). Gjykata e vërtetoi se ajo tentoi të vetëvritej, megjithatë është dënuar shoferi për shkak të veprës penale “vrasje pa paramendim”, shkruan “Blick”.

-ads3-

Y.K. (48) nga Biel BE jeton prej një viti horrorin e asaj nate të tmerrshme: Zvicerani i cili me origjinë është nga Kosova, ishte fatkeqi që parakaloi i pari pas momentit të shtrirjes për ti dhënë fund jetës Jana në 8 maj 2016. Ajo ishte rrugës për në shtëpi pas “Technoparty”. Ajo vdiq rreth orës 5.10. Shqiptari kishte marrë një padi për vrasje pa paramendim, të cilën ai nuk kishte dashur ta pranonte, kështu, rasti i tij është trajtuar të martën nga Gjykata Rajonale në Biel/Bienne, e cila ka ardhur në përfundimin se ai megjithatë është fajtor. Kjo përkundër që Jana përveç që nuk ishte kalimtare, ajo kishte konsumuar kanabis dhe kishte 1.6 promila alkool në gjak.

Kjo çështje ngre dilema në opinionin e këtushëm: a mund të quhet fajtor shoferi për vdekjen e personit që ka dashur të vetëvritej apo jo! Madje, pak para se të shkelej nga makina, ajo i kishte telefonuar të dashurit të saj dhe i kishte thënë se po qëndronte e shtrirë në autostradë dhe po shpresonte se makina e radhës do ta shtypte.

Shqiptari: Nuk mund të bëja asgjë

Ajo natë ia ka shkatërruar jetën 48 vjeçarit. “Ndjehem si një viktimë,” theksoi ai përpara trupës gjykuese. “Unë s’mund të bëja asgjë për ta penguar këtë”. Ai kishte vozitur 100km/h në një rrugë ku shpejtësia lejohet deri në 120km/h, ndërsa nuk kishte konsumuar as drogë dhe as alkool. Si shofer i vjetër, ai njeh përmendësh ata rrugë, megjithatë nuk kishte pasur mundësi të parandalonte tragjedinë.

Pavarësisht se është shofer kamioni, ai prej atë natë nuk mund as të vozisë makinën për shkak se vuan nga ndjenja e fajit dhe traumatizimi.

Gjykatësja e pyeti: “Nuk e kishit menduar se ajo kërkonte që të vritej nga ju?”, ai u përgjigj: “Absolutisht jo.”

Në fund gjykatësja e dënoi atë me dënim me para me kusht prej 1050 frangash plus një gjobë prej 200 frangash. Gjithashtu duhet të paguajë shpenzimet gjyqësore prej 8000 franga.

“Shpejtësia duhet të përshtatet me kushtet e shikueshmërisë. Sipas rrezes të ulët të shikueshmërisë, si ajo natë, shpejtësia duhet të ishte 60 deri 70 kilometra në orë,” arsyetoi vendimin gjykatësja. “Unë bëra ç’është e mundur për ta parandaluar tragjedinë. Ky vendim është jo njerëzor.” tha në fund shqiptari, i cili do ankimojë çështjen në instanca më të larta.