Në një sipërfaqe prej 6000 metrash katrorë, në vendin e njohur si Namazgjaja e Tiranës po ndërtohet xhamia e re, me kupolën e lartë 35 metra dhe katër minaret, lartësia e të cilave shkon në 50 metra.

Xhamia e re është drejt fundit dhe faqja “Xhamitë e Tiranës” ka publikuar disa pamjet të reja me dron. Në xhaminë e madhe mund të falen njëkohësisht mbi 5000 besimtarë. Mendohet që objekti mund të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm me një kosto rreth 40 milionë eurove.

Në krah të xhamisë do të ngrihet edhe godina e re e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Arkitektura nga ana funksionale i përgjigjet më së miri kritereve dhe kërkesave të kohës. E veçanta e këtij projekti është se të gjitha funksionet do të jenë të hapura për publikun.

Në një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë do të shtrihet biblioteka, gjithashtu projekti përfshin edhe një hapësirë ku do të ndërtohet muzeu i parë islam në Shqipëri. Gjithashtu do të ketë një numër të konsiderueshëm dyqanesh, ambientesh shërbimi dhe argëtimi për fëmijë.

-ads3-