Zviceranja Jana R. (22) ishte goditur për vdekje nga vetura në autostradën A6 në afërsi të Kappelen, në pranverën e vitit të kaluar. Në seancën e sotme të Gjykatës zvicerane, sot u dëshmua se Jana R. ka dashur të vdiste. Përkundër kësaj, vozitësi i cili e goditi është dënuar për „vrasje pa dashje“.
-ads3-

Vozitësi Y.K. (48) nga qyteti Biel, para një viti ka përjetuar horrorin të cilin mund ta përjetojë secili vozitës: Me prejardhje nga Kosova, më 8 maj të vitit të kaluar ai e ka shkelur në autostradë zviceranen Jana R. (22). Ajo ka qenë duke u kthyer në shtëpi, pas një argëtimi muzikor. Rreth orës 05.10 të mëngjesit, ajo vdes në autostradën A6 në afërsi të Kappelen.
Vozitësi kosovar është dënuar për „vrasje pa dashje“, por pasi nuk e kishte pranuar dënimin, të martën është gjetur para Gjykatës së rrethit në Biel.

Aty u dëshmua se Jana R. nuk ka qenë pjesëmarrëse si këmbësore në autostradë. Ajo ka qenë e shtrirë në rrugë, pasi ka dashur të vdiste. Pak pasi ishte goditur nga vozitësi kosovar, ajo kishte arritur t`i tregojë të dashurit të vet përmes celularit. Jana S. ka pasur 1,6 promila alkoll në gjak, ndërsa në argëtimin e saj në Lyss, ajo kishte konsumuar edhe kanabis.

Rasti tragjik ia ka shkatërruar jetën edhe kosovarit Y.K., shkruan „Blick“, njofton „Shtegu.com“. „Po ndjehem si viktimë“, ka pohuar ai gjatë seancës. Që nga viti 1991, prindi kosovar i katër fëmijëve ka punuar si vozitës i kamionit. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë dënim dhe patenti i shoferit nuk i është konfiskuar asnjëherë.
Sapo ka filluar ti tregojë rrethanat e aksidentit, të pranishmit në sallën e Gjykatës e kuptuan tmerrin. „Isha duke u kthyer nga Berna për në shtëpi. Relacionin e njoh shumë mirë. Isha duke vozitur i qetë dhe me shpejtësi prej rreth 100 km në orë apo ndoshta më ngadalë. Shpejtësia e lejuar në këtë relacion është 120 km në orë“, ka sqaruar Y.K.
„Isha duke vozitur me drita të rregullta pasi ende ishte errët, koha ishte e mirë. Papritmas, në rrugë pashë diçka në mes të rrugës. Fillimisht mendova mos është ndonjë pjesë e automjetit, apo eventualisht ndonjë kafshë. Menjëherë reagova duke u munduar të shmangem nga ana e djathtë dhe duke frenuar në të njëjtën kohë; ka vazhduar më tej Y.K..

Por, gjithçka ishte vonë, pasi ai e shkelë Jana R. Menjëherë e ndalon veturën dhe e thërret policinë. „E kuptova se bëhet fjalë për një njeri vetëm kur një këmbësor i kaloi barrierat e autostradës dhe filloi të bërtasë: `Ishte e dashura ime`. Ishte i dashuri i Jana, i cili e kishte kërkuar me biçikletë.
Që nga aksidenti, kosovari nuk ka punuar më dhe është nën kujdesin mjekësor. „Kam ndjenja faji, pasi për mua është shumë rëndë që bëhet fjalë për një njeri“, pohon Y.K. Brenda javës ai rregullisht shkon në terapi nga një herë.
Gjykatësja ia parashtroi pyetjen: „A nuk u ndjetë i lehtësuar që ajo ka dashur ta vrasë veten?“, ndërsa përgjigjja ishte: „Absolutisht jo“.

Megjithatë dënimi është shumë i vështirë. Për shkak të „vrasjes pa dashje“, gjykatësja e dënoi me dënim me kusht në të holla në një shumë prej 1.050 frangave zvicerane, si dhe një gjobë prej 200 frangave. Edhe shpenzimet gjyqësore prej tetë mijë frangave do të duhet t`i paguajë vozitësi kosovar.

Argumentimi i gjykatëses: „Shpejtësia duhet t`i përshtatet kushteve të dukshmërisë“. Vozitësi është shkatërruar shpirtërisht: „Unë bëra gjithçka që munda. Vendimi gjyqësor nuk është njerëzor“, ka përfunduar Y.K. Avokatja e tij do ta dërgojë rastin në instanca tjera./Shtegu.com/