Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka lënë selinë blu rreth mesnatës.

-ads3-

Ai nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për gazetarët në lidhje me rezultatin e PS-së në këto zgjedhje parlamentare. Edhe pse forcë e dytë politike, PD ka shënuar rënie të ndjeshme në mandate, krahasuar me 2013-ën kur partia drejtohej nga Sali Berisha.

Basha është shprehur se opinionin e tij do ta japë publikisht pas përfundimit total të numërimit të votave në të gjithë Shqipërinë.

“Pas përfundimit të numërimit do të jap komentet e mia”, ka thënë Basha.

Partia Demokratike ka mundur të marrë 43 mandate.

Lideri demokrat ka marrë kritika të forta edhe nga vetë brenda Partisë, ku shumë zëra kanë kërkuar se akti që duhet të bëjë tashmë me humbjen e PD-së, është të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Të njëjtin gjest bëri edhe lideri historik i kësaj force politike, Sali Berisha, kur dha dorëheqjen si kryetar pasi PD-ja humbi zgjedhjet në vitin 2013.