Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka ftuar LDK’në si edhe deputetët nga PAN’i për ta formuar bashkë qeverinë që do ta dërgonte PDK’në në opozitë. Nënkryetari i LDK’së, njëherësh kryetar i Istogut, Haki Rugova ka thënë për Gazeta Metro se kjo ofertë do të shqyrtohet nga partia dhe se ata janë të hapur për Vetëvendosjen, duke u shprehur bindshëm kundër bashkëpunimit me partnerin e deri djeshëm, PDK’në.

-ads3-

Sa u përket zërave nga koalicioni PAN që deklaruan se kanë vota edhe nga LDK’ja për të nominuarin e tyre për Kryeministër, Ramush Haradinajn, Rugova thotë se nuk do ishte befasi nëse dikush nga LDK u bashkohet atyre.

“Unë nuk e di ku i kanë marrë ata ato vota. Asgjë nuk më befason, asgjë nuk është e papritur. Mirëpo qëndrimet e LDK’së janë të tilla, për individët e caktuar është çështje e tyre. Gjithçka mund të ndodhë, nuk është befasi, ka ndodhur edhe më herët, mund të ndodhë prapë. Mirëpo, unë nuk jam ithtar i asaj”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se organet e partisë do të takohen së shpejti, ku edhe do të shqyrtojnë ofertat e do të shohin se çka është më e mira që ata mund të bëjnë.

“Një gjë është e qartë, ne nuk diskutojmë me Partinë Demokratike dhe me disa që nuk e kanë mbajtur fjalën dhe qëndrimet e mëhershme, kështu që shohim. Unë nuk besoj që do bisedojmë me PDK’në, unë nuk jam ai që bisedoj me ta. Nuk ka LDK’ja qëndrim që të bisedojmë me PDK’në, e keni pa qëndrimin e Isa Mustafës, i  cili ka dalë shumë qartë për këtë”, u shpreh Rugova.

I pyetur nëse kjo do të thotë se ka më shumë disponim për bashkëpunim me VV’në se me PDK’në, nënkryetari i LDK’së ka thënë se kjo çështje është e hapur për bisedime.

“Po, të shohim, tash duhet të ulemi e të bisedojmë me Vetëvendosjen. Vetëvendosje është një temë tjetër. Do të presim certifikimin, të shohim çfarë formule do të dalë aty. Natyrisht që jemi të hapur të bisedojmë edhe me Vetëvendosjen edhe me të gjithë, mirëpo me PDK’në sigurisht që jo”, tha ai, shkruan gazetametro.net

Rugova vlerëson se nëse do të ketë koalicion mes VV dhe LDK të dy palët duhet të pajtohen për bashkëpunim në programet partiake. Ai ka thënë se është “çështje muhabeti” nëse pikat e dy partive do të përputhen.