Kryeministri Edi Rama, një pjesë të mirë të fjalimit të tij nga mitingu i PS-së në Durrës, e shpenzoi duke sulmuar ish aleatin e këtyre 4 viteve qeverisje, LSI-në.

-ads3-

Pas reformës në drejtësi, tha Rama, do të vijë një tjetër reformë: “Atë për të nxjerrë nga zyra sojet e sorollopëve të partive të pushtetit”.

Kryeministri tha se LSI ka bërë punësime partiake në Portin e Durrësit.

Porti, tha Rama është shembulli sesi “një parti përmes votave tuaja kap një copë shtet dhe e nxjerr si ta nxirrte nga tepsia e pushtetit”.

“Një port, vijoi kreu i PS-së, që unë ju siguroj që do ta çlirojmë në 25 qershor. Për 44 muaj është rritur me 70 % administrata për të blerë me rrogat e shqiptarëve teserat e atyre që iu shërbejnë pushtetarëve. Ne do investomë aty (në port) mbi 100 milionë euro”.

Rama vijoi: “Në port janë tre familje që bëjnë ditën dhe bëjnë natën. Nga porti janë larguar specialistë me përvojë, për tu zëvendësuar me njerëz që s’kanë lidhje. Iu them: S’ka problem, iu është dashur një punë dhe mënyra sesi jepet një shans për të gjithë është ‘hajde të të jap punën dhe më dorëzo identitetin tënd, më dorëzo dinjitetin. Dhe nga çdo vend pune dua përqindje për partinë. Ndaj të gjithë ata që sot janë në punë dhe i paguajnë përqindje një partie të pushtetit, një gjë do ta fitojnë në 25 qershor: s’do jenë të imponuar të paguajnë përqindje nga rroga e tyre”.

Është turp, tha Rama, që në vend që të krenohet (LSI) sot sulmon reformat e qeverisjes së përbashkët.