Nëse një gëzim dhe një ditë të cilën Allahu xh.sh. na urdhëron ta kalojmë duke i shprehur njëri tjetrit respekt e mirëkuptim ne po e shndërojmë në ditë kobi e zie, atëherë nuk ka se si të mos shtrohet dilema – mos vallë kemi filluar të humbim besimin tonë ?

-ads3-

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Më kujtohet nga fëmijëria ime e hershme se pleqtë tanë na këshillonin që gjatë ditëve të Ramazanit dhe gjatë festës së Bajramit, duhet të jemi të përmbajtur, të mos ofendojmë askend dhe të zgjedhim fjalët bile edhe gjatë lojërave me shokë, kursesi të mos grindemi me njëri tjetrin… Më vonë, kur fillova më seriozisht t’a kuptoj fenë dhe normat e sjelljes në shoqëri që i urdhëron feja, me kënaqësi konstatova se këshillat që na i jepnin pleqtë tanë, në fakt paskan qenë një transmetim i thjeshtëzuar i principeve dhe parimeve të besimit islam. Sot e kësaj dite kam respekt për ata njerëz të urtë që në mënyrë aq të sofistikuar përpiqeshin të zhvillojnë karakterin tonë.
Dhe, jo rastësisht, ndër muslimanët e Maqedonisë, gjenerata të tëra besimtarësh muslimanë e kanë kultivuar bindjen se Ramazani dhe Bajrami janë festa, e në festa njeriu duhet të rrezatojë vetëm mirëkuptim, miqësi, dashuri për njëri tjetrin. Te shqiptarët, përherë është konsideruar veprim i turpshëm çdo akt i prishjes së qetësisë në ditët e Ramazanit ose Bajramit. Kështu do duhej të ishte edhe sot sepse kohët dhe gjeneratat ndryshojnë por respektimi i parimeve fetare duhet të mbetet i përhershëm.
Mjerisht, diçka e çuditshme po ndodhë viteve të fundit ndër muslimënt nëpër botë. Me dhembje e trishtim po dëgjojmë se disa muslimanë as pesë pare nuk po japin për festat tona dhe nuk po ngurojnë që në këto ditë gëzimi e kënaqësie të veçuara nga Krijuesi ynë të kurdisin bomba, nuk po ngurojnë bile edhe të sulmojnë xhamitë e të vrasin besimtarët gjatë namazit.
Edhe në ditën e parë të Bajramit të sivjemë dëgjuam për akte të këtila në të cilat humbën jetën njerëz të pafajshëm. Për fat të keq, sikur nuk mjaftuan ato paudhësi, ndodhi edhe një vrasje e shumëfishtë këtu te ne, në rrethin e Shkupit. Bajrami të cilit aq shumë iu gëzuam, u përgjak, vdiqën disa njerëz, trishtimi e kaploi shpirtin tonë.
Cfarë po ndodhë me ne vëllezër ? Nëse një gëzim dhe një ditë të cilën Allahu xh.sh. na urdhëron ta kalojmë duke i shprehur njëri tjetrit respekt e mirëkuptim ne po e shndërojmë në ditë kobi e zie, atëherë nuk kam se si të mos shtroj dilemën – mos vallë ne kemi filluar të humbim besimin ? Sepse, të vëprosh krejtësisht në kundërshtim me urdhërat e Zotit, nuk do të thotë asgjë tjetër përveç se mohim i tërësishëm i Zotit dhe mospërfillje e parimeve të besimit tonë.
Kuptohet, ngjarjen që ndodhi dje në Gllumovë, po e përmend vetëm në kuadër të fenomenit për të cilin po flas këtu, as nuk i di e as nuk kam të drejtë të ndërhyj në detaje. Unë vetëm po konstatoj se ky Bajram i yni u përgjak dhe të gjithë ne duhet të jemi shumë të shqetësuar përë këtë gjë.