Kampioni i shumëfishtë i hedhjes, Sali Gërqina, është zhdukur pas hedhjes së tij nga bregu tek Ura e Fshajt në Gjakovë.

-ads3-

“Siç jeni të njoftuar, sot në ora 16:00 ka ndodhur një kërcim nga Ura e Fshejtë, ku personi në fjalë fatkeqësisht nuk ka dalë më nga uji”, ka thënë togeri i Policisë në këtë rajon, Sejdi Dobra.

“Rasti ka ndodhur spontanisht, personi në fjalë është i njohur si kërcimtar shumë i mirë, ka kërcyer qindra herë por që sot fatkeqësisht nuk doli nga uji”, ka bërë të ditur ai.

Dobra ka treguar në Klan Kosova se kërkimet për sonte kanë përfunduar.

“Ekipet e shpëtimit bashkë me qytetarët dhe njësitë tjera relevante të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë të pranishëm edhe autoambulanca dhe zjarrfikësit, e më pas kanë ardhur edhe zhytësit nga Prishtina”, ka thënë ai.

“Deri më tani është kërkuar në hapësirë të madhe por kërkimi është ndërprerë për shkak të natës dhe shiqimit të dobët”, ka bërë të ditur Dobra.

Ai ka treguar se kërkimi do të përsëritet dhe do të vazhdojë edhe nesër.

“Nesër në mëngjes do të përsëritet kërkimi në lokacionin e njejtë nga zhytësit e Prishtinës në kuadër të FSK-së”, ka njoftuar Dobra.

Sipas Dobrës, familjarët e Gërqinës janë njoftuar për rastin e që sipas tij, ata janë shumë optimist për gjetjen e familjarit të tyre.

“Familjarët janë informuar, kanë qenë në vendin e ngjarjes, është optimizëm se familjari i tyre do të gjendet. Si gjithmonë, shpresa vdes e fundit”, ka thënë Dobra.

Sipas togerit, rastet e tilla nuk janë të shpeshta në këtë vend por që sipas tij, një rast tragjik ndodh secilin vit.

“Rastet e tilla nuk janë të shpeshta, por ndodh nga një rast secilin vit, çdo vit ky lumë e han nga një njeri”, ka thënë Dobra.