Sot Senati i Universitetit të Tetovës, në bazë të propozimit të Këshillit të Rektoratit në të cilën morrën pjesë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Senatit, pas votimit të fshehtë, Komisioni zgjedhor përcaktoi se kandidati Dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, ka marrë gjithsejt 22 vota, ndërsa kandidati Dr. Alifeta Selimi – profesor i rregullt, ka marrë gjithsejt 3 vota. Në bazë të rezultateve të votimit, për Rektor të Universitetit të Tetovës për periudhën e ardhshme katërvjeçare është zgjedhur Dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, të cilit i dëshirojmë sukses në zbatimin e Platformës së pasur programore për punën e Universitetit.

-ads3-

Më pas, gazetarëve, senatorëve, dekanëve, studentëve dhe mbarë opinionit publik ju drejtua edhe Rektori Prof.Dr.Vullnet Ameti, i cili u rizgjodh në këtë detyrë edhe për një mandat katërvjeçar. Sipas tij, verdikti i sotëm i Senatit të Universitetit të Tetovës për rizgjedhjen e tij në postin e Rektorit në mandatin 4-vjeçar, paraqet një privilegj dhe një detyrim njëkohësisht.

“Është një privilegj, sepse të të besohet posti i Rektorit i këtij Universiteti të lindur dhe rritur nga populli, për të cilin është derdhur gjak dhe është ndarë kafshata e gojës e shumë familjeve nga Tetova dhe mbarë trevat shqiptare, është vërtet një nder i madh, bekim nga Zoti, megjithatë ky post ndërlidhet me detyrimin jo vetëm profesional, por edhe moral e kombëtar, sepse gjithë këtë korpus vlerash, duhet ta mbrojmë dhe ta çojmë përpara për të mirën e gjeneratave të reja dhe mbarë shoqërisë. Besimi i dhënë nga ana e profesoratit, studentëve, Këshillit të Rektoratit, Senatit të Universitetit të Tetovës dhe mbarë komunitetit akademik, më impenjon mua edhe më shumë që t’i përvesh mëngët dhe, së bashku me bashkëpunëtorët e mi të afërt, të vihem në shërbim të komunitetit akademik, studentëve dhe profesorëve, si dhe mbarë shoqërisë, por edhe të shënojmë hapa të rëndësishëm në konsolidimin sa më të mirë të Universitetit, në krijimin e kushteve infrastrukturore, avancimin e procesit të mësimdhënies dhe krijimit të një ambienti të volitshëm për hulumtime shkencore, që do të shpie në avancimin edhe të politikave shtetërore, kulturës, qytetërimit, kohezionit ndëretnik, tregut të punës dhe mirëqenies qytetare”, u shpreh Prof.Dr. Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës.

Ai, gjithashtu i falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur kandidaturën e tij edhe për një mandat të ri, duke shtuar se besimin e tyre do ta materializojë në të mirë të vet Universitetit të Tetovës dhe mbarë shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
“Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë Këshillat mësimorë-shkencorë të njësive akademike të Universitetit të Tetovës, të cilët pa hezitim e mbështetën kandidaturën time, Parlamentin studentor, Këshillin e Rektoratit dhe Senatin e Universitetit të Tetovës, të cilët me votën e tyre njëzëri ma besuan postin e Rektorit, duke ua dhënë fuqimisht fjalën, se unë, Vullnet Ameti, do ta materializoj votën e tyre për të mirën e Universitetit të Tetovës, gjeneratave të reja dhe mbarë popullatës së këtyre trevave. Këtë e kam dëshmuar edhe në mandatin e parë dhe, do ta dëshmoj edhe më fuqishëm, edhe në mandatin tim të dytë. Populli ynë, rinia jonë, pret nga ne dhe ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përpos, që edhe nëse duhet, ta sakrifikojmë veten tonë për mirëqenien e tyre fizike dhe shpirtërore. Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës!”, shtoi më tej Rektori i UT-së, Prof.Dr. Vullnet Ameti.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti në krye të UT-së për herë të parë u zgjodh më 13 shtator të vitit 2013, ndërsa sot Senati i Universitetit ia besoi edhe një mandat katërvjeçar për ta udhëhequr Universitetin e Tetovës.