Britania e Madhe është e vendosur në procesin e saj të daljes nga Bashkimi Europian, por në anën tjetër qëndrojnë të drejtat, detyrimet dhe shumë pagesa që e komplikojnë këtë proces.

-ads3-

Në përvjetorin e parë të referendumit që ndryshoi pamjen e Europës, konfirmohet se rruga e Brexit është e gjitha në ngjitje.

Liderët europianë, të mbledhur për të diskutuar disa nga çështjet më të rëndësishme politike dhe ekonomike të kontinentit të vjetër, patën rastin të përballeshin me kryeministren britanike Theresa May për herë të parë që nga zhgënjimi i konservatorëve në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në vend. Si dhe vetëm pak ditë pas nisjes zyrtare të negociatave në Bruksel.

Propozimi i kryeministres britanike për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve europianë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, nuk u konsiderua i mjaftueshëm nga 27 vendet e mbetura anëtare të Bashkimit Europian.

Një deklaratë që u konfirmua nga presidenti i komisionit europian Jean-Claude Juncker, dhe ai i këshillit europian Donald Tusk.

Me fjalë të tjera refuzimi i Londrës për ti lënë rolin e saj gjykatës europiane të drejtësisë në rregullimin e situatave të tilla, nuk është konsideruar i pranueshëm nga BE.

Edhe pse Brexit nuk ishte ndër argumentet në rend të ditës në këshillin europian, kjo temë ka dominuar shumë prej konferencave për shtyp.

Para se të largohej nga Bruksel, May deklaroi se propozimi i saj ishte i drejtë dhe serioz duke theksuar se Mbretëria e bashkuar dëshiron të negociojë një marrëdhënie të fortë dhe të thellë me BE.

Kryeministri irlandez, një debutues në këshillin e radhës së bashku me presidentin e ri francez Macron, duket se është i vetmi që ka ende iluzione se ky proces mund të ndalohet: Nuk dëshirojmë që të largohen nga BE, tregu i përbashkët dhe unioni doganor.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, duket e pakthyeshme, dhe Italia së bashku me Spanjën dhe Holandën kanë arritur të shtojnë peshën e tyre  si dhe kriteret teknike dhe gjeopolitike që pretendohen nga vendet e lindjes.