Kryeministri Edi Rama vijon të mburrë punën e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme, pavarësisht akuzave të ashpra ndaj tij për ‘kanabizimin’ e vendit.

-ads3-

“Policia është institucioni më i besueshëm falë Saimir Tahirit dhe falë më pas Fatmir Xhafës”, tha pasditen e sotme Rama gjatë mitingut përmbyllës në Tiranë.

“Shifrat e kriminalitetit thonë se Shqipëria ka numrin më të ulët të vrasje, plagosjeve, në 27 vjet”, shtoi Rama si argument për të mbështetur atë që tha më lart.

“Ashtu si bëmë policinë do bëjmë dhe administratën”, premtoi kreu i PS-së.

Saimir Tahiri është një nga ministrat më të akuzuar në vitet e pluralizmit. Ai është shigjetuar nga opozita, LSI, mediat ndërkombëtare, si përgjegjësi për mbushjen e Shqipërisë me drogë. Ka zëra që pretendojnë se ndërkombëtarët kanë kërkuar shkarkimin e Tahirit pikërisht për këtë shkak. Pavarësisht kësaj, kryeministri Rama vijon të thotë se është krenar për ish ministrin e tij.

Por, siç është shprehur në një emision televiziv, nëse fiton zgjedhjet, në krye të Ministrisë së Brendshme nuk do të emëronte Tahirin, por Xhafën.