Mëngjesi i sotëm gjeti disa burra në varrezat e fshatit Gllumovë. Ata sipas një burimi të Televizionit SHENJA nga ky fshat, pas namazit të sabahut i dorëzuan tokës trupin e pajetë të vrasësit Shaban Sulejmani, për të cilin nuk pati ceremoni fetare varrimi. Sipas të njëjtit burim, vendimi për të mos organizuar ceremoni fetare është marrë nga shumica e banorëve të këtij fshati, dhe për këtë janë pajtuar edhe drejtuesit fetar të rrethinës.

-ads3-

Ky vendim ka ardhur pas revoltës së banorëve për ngjarjen tragjike që ndodhi dy ditë më parë, pikërisht në ditën e parë të festës së Fitër Bajramit, kur Shaban Sulejmani vrau vëllaun e tij, dy djem të vëllezërve dhe në fund veten.

Viktimat e Shaban Sulejmanit, në prezencë të farefisit, fqinjëve dhe bashkëfshatarëve, si dhe me ceremoni fetare, janë vorrosur dje në varrezat e fshatit Gllumovë.

Dy ditë më parë, në ditën e Fitër Bajramit, Shaban Sulejmani ka vrarë  dy nipërit e tij në lagjen Gjorçe Petrov 2, dhe menjherë pas kësaj është nisur për në fshatin Gllumovë. I ndjekur nga njësiti Alfa, Sulejmani ka arritur në fshatin e tij ku edhe ka takuar vëllaun e tij, të cilin po ashtu e ka vrarë. Për t’i dhënë fund kësaj tragjedie, ai i mori jetën edhe vetes. Kësaj tragjedie i ka paraprirë një mosmarrëveshje familjare.