Vizita e Papa Françeskut në kryeqytetin e Kilit është pritur me trazira të shumta. Të paktën tre kisha janë sulmuar vetëm ditët e fundit. Vizita do të zhvillohet me 15 Janar, ndërsa qytetarët kundërshtojnë shpenzimet e shtetit për përgatitjet.

Këtë e shkruan gazeta vendase “La Nacion”. Sulmi i parë, i kryer me flakadan vuri në shënjestër famullinë e “Santa Isabel de Hungría”.

Në vendngjarje, autorët kanë lënë pamflete me slogane anti-qeveritare, dhe një nga kërcënimet ndaj Papës, në të cilin thuhet se “bombat e ardhshme do të vendosen nën veshjen tënde”.

Sulmi i dytë ndodhi në kishën Emmanuel dhe atentati tjetër në kapelën e “Krishtit Vencedor”.

Në të dyja rastet janë përdorur pajisje shpërthyese që shkaktuan dëmtime. Një sulm i katërt është kryer në famullinë “Santuario de Cristo Pobre”, në periferi të kryeqytetit kilian, por hetuesit ende duhet të konstatojnë nëse ishte një sulm i qëllimshëm.

Presidentja e vendit, Mishel Bakelet, i ka cilësuar këto ngjarje si shumë të çuditshme. Ajo nënvizoi se qytetarët kanë të drejtën e tyre të protestojnë kundër vizitës së Papës, por kjo duhet të bëhet në mënyrë paqësore.

Ndërkohë, mediat në Kili shkruajnë se arsyeja e sulmeve ndaj kishave janë milionat që po shpenzohen nga shteti rreth përgatitjeve për vizitën e Papa Françeskut.